Një garë miqësore varkash me vela, të shoqëruar me disa varka me motorr, ishte panorma e pare e regatës Otranto-Vlorë 2017.
“Pilot.al” në bashkëpunim me “Lega Navale Italia” bënë pjesëmarrëse në këtë aktivitet 13 varka me vela, të cilat mbështeteshin nga gjashtë varka me motor. Fillimi i garës ishte në portin e Otrantos, të premten në orën 09:12, mbërritja ishte në Kepin e Gjuhëzës ndërmjet Sazanit dhe Karaburunit.
Nisemi nga Vlora për të parë një pjesë të varkave të mbërritura aty. Pjesë e aktivitetit ishte edhe një tur me biçikleta në ishullin e Sazanit.
“Ky është një pasion që më ndjek qëkur isha fëmijë. Që në moshën gjashtë vjeçe, me shoqatat tona të velave. Këtë varkë kam afërsisht gjashtë vite që e lundroj nëpër Adriatik, Jon, apo Greqi e Kroaci. Kemi admiruar bukurinë e ishullit e Sazanit. Natyrën e egër. Kemi eksploruar perimetrin, që është interesant nga gjithë këto bunkerë”, u shpreh Massimo Andreano, garues.
Pjesëmarrës nga Shqipëria nuk kishte dhe thirrja për ta shndërruar këtë projekt pilot është pikërisht shtimi i tyre. Por edhe për një bashkëpunim të mirë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
“Qëllimi ishte që në të afronim sa më shumë turizmin e varkave me vela me Shqipërinë, më portet, me bregdetin tonë. Një sport që është i veçantë, por në Shqipëri është akoma pak i zhvilluar dhe ka nevojë dhe vendi ynë që të marrë përmasa të mëdha edhe në këtë drejtim”, thekson Arben Cenole, organizator “Pilot.al”.
Por duket se era nuk ishte në favor të garuesve për këtë regatë. Por si bashkëpunim i parë rezultati ishte i kënaqshëm.
“Era na mashtroi. Praktikisht të gjithëve na u desh të ndiznim motorrin për të arritur Shqipërinë, sepse erë nuk kishte. Për ne Shqipëria është njëlloj sikur të ishte shtëpia jonë. Vijmë qetësisht dhe dimë që jemi të mirëpritur”, thotë Walter Melissano, president i “Lega Navale Italiana”, sesioni Otranto.
Kupën fituese e mori varka “Aquaria”, në bordin e së cilës rastisem te ishim edhe vizitorë. Në mbrëmje të gjitha varkat u ankoruan tek Marina Orikum. Nga ky bashkëpunim i parë Lega Navale e Italisë dhuroi një defribilator automatik që i shkoi Federatës së Kanotazhit.